Lajme

Hetimi i SPAK për AKSHI-n, Rama: Presim me padurim drejtësinë për të vërtetën, cilado qoftë

12/28/2025 16:02
nga:Y I

Kryeministri Edi Rama foli gjatë podkastit të tij “Flasim” lidhur me hetimin e SPAK ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe drejtueses së këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.

Rama tha se drejtuesja e AKSHI-t ndodhet aktualisht në një masë sigurie për një akuzë të rëndë, ndërsa theksoi se lidhur me të duhet të pritet të dalë e vërteta vetëm nga drejtësia dhe nga askush tjetër.

“AKSHI përballet sot me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Mirlinda Karçanaj, që udhëhoqi jetësimin e vizionit tonë qeverisës për transformimin digjital të qeverisë, me dije, me vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vite, gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia jo nga 700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike, që të dalë e vërteta e saj, cilado qoftë ajo. Por e di që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-t, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh krahasuar me 2022 në renditjen e Bankës Botërore. Këtë herë jo vetëm renditemi në grupin A i quajtur grupi me maturitet të lartë, por falë një rritjeje të ndjeshme me raportin paraardhës, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68 në të 14 mes gjitha vendeve”, tha ai, raporton A2cnn.