Gjatë ditës së zgjedhjeve parlamentare, në disa qendra votimi në vend janë shënuar probleme me furnizimin me energji elektrike, pavarësisht se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ndodhet në gatishmëri të plotë operative dhe po operon me kapacitet maksimal prodhues.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur në një konferencë për media se sipas raportit të orës 11:00, mungesë e energjisë elektrike është raportuar në gjashtë qendra votimi në gjashtë komuna: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Ai ka theksuar se për këto raste janë njoftuar menjëherë operatorët përgjegjës dhe se Komisionet Komunale të Zgjedhjeve janë në kontakt me KEDS-in për sanimin e situatës.
“Janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë qendra votimi dhe për këtë Komisionet Komunale kanë njoftuar KEDS-in. Jemi në komunikim të vazhdueshëm për zgjidhjen e këtyre rasteve”, ka deklaruar Radoniqi.
Ndërkohë, KEK ka bërë të ditur se që nga data 19 dhjetor 2025 ka rritur angazhimin operacional në nivel maksimal, duke operuar me pesë njësi gjeneruese dhe duke prodhuar rreth 20,640 MWh energji elektrike në ditë. Sipas KEK-ut, të gjitha kapacitetet e disponueshme prodhuese janë vënë në funksion për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji, veçanërisht në kushtet e temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsumit.
Korporata ka theksuar se pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, përmes angazhimit të stafit teknik dhe menaxhmentit, është bërë e mundur operimi paralel i pesë njësive, gjithmonë duke respektuar standardet e sigurisë dhe stabilitetit operacional.
Përveç çështjes së energjisë elektrike, Radoniqi ka njoftuar edhe për një problem tjetër të raportuar nga komuna e Rahovecit, ku në disa qendra votimi janë vërejtur fletëvotime me shenja të dukshme në numra, gjë që ka shkaktuar ankesa nga këshillat e vendvotimeve. Sipas tij, edhe ky rast është duke u trajtuar nga KQZ.
KQZ ka theksuar se po monitoron nga afër situatën në terren dhe se, në koordinim me institucionet përgjegjëse të sektorit energjetik, po ndërmerren të gjitha masat për të garantuar vazhdimësinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.


