Ish-gjyqtari i Gjykatës Speciale për Kosovën, tani pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), është vënë në shënjestër të sanksioneve të ashpra të administratës Trump.
Për shkak të urdhërarrestit ndaj udhëheqësve izraelitë, Nicolas Guillou e gjen veten të radhitur krahas terroristëve në listat e zeza të Uashingtonit, duke humbur qasjen në llogari bankare, karta krediti dhe shërbime bazë digjitale.
Francezi Nicolas Guillou ka një vit që punon në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndjek krimet e luftës dhe e ka selinë në Hagë.
Më parë, 50-vjeçari Guillou, i cili është ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka punuar për tribunalet speciale të Kosovës dhe Libanit.
Në vitin 2023, Guillou dhe krerë të tjerë të GJPN-së lëshuan një urdhërarrest kundër presidentit rus, Vladimir Putinit për shkak të krimeve kundër njerëzimit sipas Kartës së OKB-së. Akuza përmend sidomos kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia.
Ndjekja penale e Putinit nuk befasoi askënd, shkruan portali zviceran Watson në një analizë.
Situata ndryshoi në nëntor 2024, kur GJPN shpalli në kërkim edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata dyshohen se kanë kryer gjenocid në Gaza.


