Lajme

Raportohet se është arrestuar për vjedhje milionëshe në Oman vëllai i këshilltares së Albulena Haxhiut

12/26/2025 10:51
nga:Sh R

Avdush Bala, vëllai i ish-deputetes së LVV-së Nazlie Bala, e cila shërben si këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, dhe ka shërbyer edhe sa Albulena Haxhiu ishte ministre e Drejtësisë, dyshohet të ketë qenë koka e një prej plaçkitjeve më të sofistikuara që ka ndodhur më 14 dhjetor të këtij viti, siç raporton “Paparaci”.

Ai bashkë me një person tjetër raportohet se kanë hyrë në Oman me viza turistike dhe kanë qëndruar në hotelin afër dyqaneve të bizhuterisë në zonën e njohur si Al Ghubrah. Sipas këtij raportimi, Balaj kishte pasaportë australiane.

Siç njoftoi zyrtarisht Policia Mbretërore e Omanit, të dyshuarit, pa specifikuar nacionalitetin e tyre, fillimisht e kanë kontrolluar zonën dhe kanë planifikuar plaçkitjen.

Ndërkaq, rreth orës 4 të mëngjesit, ata thuhet se kanë thyer murin e dyqanit me mjete të demolimit, duke vjedhur sasi të mëdha të bizhuterive. Ata pastaj kanë thyer me forcë kasafortën dhe kanë vjedhur para të gatshme.

Pas hetimeve të policisë, të dy të dyshuarit janë arrestuar. Autoritetet në Oman kanë sekuestruar edhe pajisjet që janë përdorur, të cilat ishin fshehur në një plazh në Siefa, pasi kanë udhëtuar me anije të marrë me qira.

Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje nga Nazlije Balaj, por e njëjta nuk e ka hapur telefonin.

Gjithashtu, redaksia ka dërguar pyetje edhe në adresë të Policisë së Omanit për të marrë detaje mbi rastin, por deri në momentin e raportimit, nuk kemi marrë përgjigje.