Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar sërish kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krizën me energji elektrike.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se nga dita kur Kurti erdhi në pushtet e deri më sot, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej plot 811 milionë eurosh.
Ndër të tjera, ajo thekson se këtë import e paguajnë drejtpërdrejt qytetarët përmes faturave të energjisë elektrike, transmeton Klankosova.tv.
“Që nga dita kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet e deri sot, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë plot 811 milionë euro. Ky import nuk paguhet nga buxheti i shtetit – këtë import e paguajnë direkt qytetarët përmes faturave të energjisë. A e dini sa është kjo mesatarisht? Mbi 500 euro për kokë banori! A e dini ku kanë shkuar këto para tuajat? Te mafia energjetike! Pyetni Albinin kush janë ”mafia energjetike”, se ai i njeh më së miri”, përfundon postimi i ish-deputetes.


