Sporti

Xabi Alonso ende nën presion

12/26/2025 09:51
nga:Mergim Rreci

Te Real Madridi janë të lëkundur për punën e trajnerit Xabi Alonso. Nga spanjolli pritet më shumë!

Pas një serie paraqitjesh të dobëta, Real Madridi i drejtuar nga Xabi Alonso reagoi pavarësisht presionit dhe e mbylli vitin 2025 me tre fitore radhazi në të gjitha kompeticionet.

Suksesi i tyre më i fundit erdhi kundër Sevilla-s, një rezultat shumë i rëndësishëm për Xabi Alonson, pasi një humbje e tretë radhazi në shtëpi mund të kishte çuar në largimin e tij.

Por, pavarësisht këtyre rezultateve, “Los Blancos” vazhdojnë që të jenë katër pikë pas rivalëve të Barcelonës në prag të sezonit të ri.

Sipas “The Athletic”, pozicioni i Xabi Alonso-s te “Galaktikët” mbetet ende i pasigurt, pavarësisht tre triumfeve radhazi.

Puna e teknikut do të konsiderohet e sigurt derisa Real Madridi të fillojë të tregojë një përmirësim të qartë në paraqitje. Kjo do të thotë se vetëm rezultatet pozitive nuk do të mjaftojnë.

Problemi rreth Xabi Alonso-s nuk ka qenë vetëm çështje rezultatesh. Drejtuesit janë të shqetësuar për mënyrën se si grupi ka reaguar ndaj tij.

Aktualisht, trajneri tani gëzon mbështetjen e lojtarëve, por kjo ka ardhur me një kosto. Ai është detyruar të mbajë marrëdhënie të mira me lojtarët kryesorë, përfshirë Vinicius Jr. dhe Federico Valverde, duke u dhënë atyre më shumë pushtet.

Ish-trajneri i Leverkusenit gjithashtu ka zbutur ndjeshëm qasjen e tij taktike dhe politikën e rotacionit, duke u bërë më i përshtatshëm ndaj kërkesave të Vinicius Jr.

Në Spanjë raportojnë se Superkupa e Spanjës që po afron mund të jetë vendimtare, me drejtuesit e klubit që presin që “Los Blancos” ta fitojnë turneun në Arabinë Saudite.