Sezoni i Jude Bellingham (22) po shndërrohet në një katrahurë të vërtetë. Pas një operacioni në shpatull gjatë verës, Xabi Alonso vendosi ta rikthente anglezin direkt në formacionin titullar për derbin e qytetit në “Metropolitano”.
Megjithatë, eksperimenti rezultoi i dështuar, pasi Real Madridi pësoi një humbje të rëndë me rezultat 5-2.
Kjo ishte goditja e parë serioze e sezonit dhe paralajmërimi i një krize që do të pasonte. Deri në atë moment, Reali po siguronte rezultate pozitive edhe kur loja nuk ishte bindëse, dhe këtë pa Bellingham, i cili ishte në fazë rikuperimi pas ndërhyrjes kirurgjikale, shkruan As.com.
Shkëlqimi para ardhjes së Mbappe
Para ardhjes së Kylian Mbapp, Bellingham luajti në mënyrë brilante në sistemin e Carlo Ancelottit. Ai u përshtat në mënyrë të përkryer në sezonin e tij të parë, në një Real Madrid që luante pa një sulmues klasik pas largimit të Karim Benzemas, me Vinicius Jr. dhe Rodrygo në fazën ofensive.
Ky ishte sistemi ideal për anglezin, i cili shfrytëzoi maksimalisht aftësinë e tij më të madhe: ardhjen nga thellësia drejt zonës finale. Megjithatë, Reali e kishte transferuar atë si mesfushor dhe ky fakt, sipas analizave, mund të ketë ndikuar në vonesën e përforcimeve në repartin e mesfushës pas largimeve të Toni Kroos dhe Luka Modric.
Ardhja e Mbappe dhe rënia e ndikimit
Pas një sezoni debutues ku u krahasua edhe me Alfredo Di Stéfanon, falë shifrave mbresëlënëse prej 23 golash dhe 13 asistesh, Bellingham këtë edicion ka humbur ritmin. Deri tani, ai ka shënuar vetëm 5 gola në 20 ndeshje, pa pasur ndikimin vendimtar që pritej në lojën e skuadrës.
Profili i tij, mes mesfushës dhe sulmit, e bën Bellingham një lojtar të vështirë për t’u përshtatur taktikisht. Pikërisht kjo u reflektua edhe në vështirësinë e Xabi Alonsos për t’i gjetur pozicionin ideal pas humbjes në “Metropolitano”.
“Unë e shoh atë më shumë si mesfushor”, deklaroi Alonso gjatë Kupës së fundit të Botës për Klube.
Megjithatë, për ndeshjen e kthimit në “Metropolitano”, trajneri ndryshoi skemën në 4-2-3-1, duke e vendosur Bellingham si mesfushor sulmues pas Mbappes, më afër portës kundërshtare.
Ndryshimet taktike dhe problemet mbrojtëse
Kjo ide u aplikua për disa ndeshje, por shpejt u bë e dukshme një mungesë ekuilibri mbrojtës në krahun e majtë, e përkeqësuar edhe nga kontributi i dobët mbrojtës i Vinicius Jr. Për këtë arsye, Alonso u detyrua të ndryshonte sërish planin.
Sistemi aktual 4-4-2 e pozicionon Bellingham në të majtë, duke i dhënë liri të plotë lëvizjeje. Kjo, megjithatë, kërkon një angazhim të madh fizik nga anglezi për t’u rikthyer në mbrojtje, ndërsa Vinicius lirohet nga detyrat defensive dhe luan si sulmues përkrah Mbappé-së.
Edhe ky rregullim nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara. Pavarësisht fitoreve ndaj Athletic Bilbao, Alaves dhe Sevilla, Reali pësoi një tjetër humbje kundër Celtas dhe vazhdon të shfaqë dobësi, si në lojë ashtu edhe në fazën mbrojtëse, ku kundërshtarët krijojnë shumë raste.
Situatë e ngjashme edhe me Anglinë
Problemet nuk mungojnë as në ekipin kombëtar të Anglisë. Pas rikthimit nga lëndimi, Bellingham është përballur me vështirësi në integrim. Në kualifikueset e Kupës së Botës, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel regjistroi gjashtë fitore në gjashtë ndeshje, me golavarazh 18:0, duke siguruar kualifikimin me dy raunde të mbetura.
Megjithatë, rikthimi i Bellingham ka hapur debat për rolin e tij në sistem. Ai u prit me duartrokitje në Wembley, por edhe me fishkëllima kur hyri si zëvendësues kundër Serbisë. Me Harry Kane si kapiten të padiskutueshëm, Bukayo Saka në krahun e djathtë dhe Elliot Anderson përkrah Declan Rice në mesfushë, Bellingham ende po kërkon vendin e tij, veçanërisht tani që edhe Phil Foden është në formë të shkëlqyer.
Tensionet vazhduan edhe në ndeshjen kundër Shqipërisë (fitore 0-2), ku Bellingham ishte titullar dhe u shpall lojtari i ndeshjes. Gjithçka dukej perfekte deri në momentin e zëvendësimit të tij.
Anglezi reagoi me nervozizëm në stol, gjë që nuk i shpëtoi vëmendjes së trajnerit. Tuchel e kritikoi publikisht pas ndeshjes.
“Ai po i tundte krahët lart dhe ishte qartësisht i pakënaqur që u zëvendësua. Nga larg, nuk dukej si dikush që e përqafon kolektivin”, deklaroi gjermani.
Një problem i papritur për Realin dhe Anglinë
Pavarësisht gjithçkaje, Jude Bellingham mbetet pjesë e planeve për Kupën e Botës. Megjithatë, ashtu si te Real Madridi, edhe në kombëtare, përshtatja e tij në sistem është kthyer në një temë serioze debati – një problem i papritur për një lojtar që deri pak muaj më parë shihej si figura qendrore e së tashmes dhe së ardhmes.

