Lajme

Besim Hasani kujton Fadil Vokrrin: Së bashku e kemi bërë ndërkombëtarizimin e sportit

12/25/2025 15:57
nga:Sh R

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Besim Hasani, ka kujtuar me respekt dhe mirënjohje legjendën e sportit kosovar, Fadil Vokrri, duke theksuar se emri i tij është i pandashëm nga zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi i sportit në Kosovë.

Përmes një statusi në rrjete sociale, Hasani ka shprehur krenarinë për bashkëpunimin që kishte pasur me Vokrrin, duke e cilësuar atë si figurë kyçe të sportit dhe një kontributdhënës të jashtëzakonshëm për vendin.

“Fadil Vokrri dhe sporti janë të pandashëm nga njëri-tjetri. Krenar që kisha fatin të bashkëpunoj me legjendën tonë. Respekt dhe mirënjohje gjithë jetën për veprimtarinë e tij,” ka shkruar Hasani.

Në videon e shpërndarë bashkë me statusin, ai ka theksuar rëndësinë simbolike të figurës së Vokrrit për sportin kosovar.

“Të flasësh për sportin dhe të mos jesh afër statujës së të madhit Fadil Vokrrit nuk do të ishte e përshtatshme, së paku për mua. Së bashku e kemi bërë ndërkombëtarizimin e sportit,” ka deklaruar Hasani.

Hasani ka theksuar se trashëgimia e Fadil Vokrrit do të mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj dhe për të gjithë ata që angazhohen në zhvillimin e sportit në Kosovë.