Lajme

Florian Dushi: VV përgjegjëse për bllokadën – nga fillimi kishte qëllim mbajtjen e zgjedhjeve

12/26/2025 16:44
nga:G B

Florian Dushi, me numrin 34 në listë, është kandidat i LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetor, për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se është e vështirë për qytetarët e subjektet politike që brenda vitit të mbahen 4 palë zgjedhje, duke llogaritu balotazhin.

“Natyrisht është e vështirë jo vetëm për qytetarët por edhe për subjektet politike dhe kandidatët, madje më së  vështiri do të thoja është për institucionet e vendit sepse vërtetë sa herë që ka zgjedhje, institucionet e vendit përballen me vështirësi të natyrave të ndryshme. E aq më tepër siç e thatë edhe ju gjatë këtij viti kishim 4 palë zgjedhje. Prandaj, unë konsiderojë që si subjekte politike, si kandidatë e kemi pas mundësinë që gjatë kësaj periudhe të fushatës të kontaktojmë me shumë qytetarë, natyrisht ata shprehin brengosjen e tyre por edhe shqetësimin e tyre pse Kosova e ka nevojë që brenda vitit të organizojë dy palë zgjedhje, por gjithsesi adresa tashmë është e qartë. Përgjegjësia është e adresuar në kuptimin e mosformimit të institucioneve, prandaj kemi qenë të detyruar që të organizojmë edhe këto zgjedhje në fund të vitit dhe në një periudhë kur qytetarët ndoshta më shumë do të duhej të iu përkushtohen familjeve të tyre dhe festave”, ka thënë ai.

Sipas Dushit,e gjithë përgjegjësia për këto zgjedhje dhe mos formim të institucioneve i takon partisë së parë në zgjedhjet e shkurtit, VV-së, e cila bllokoi institucionet.

“Gjithsesi sa i përket përgjegjësisë unë konsideroj se kjo është jashtëzakonisht e thjeshtë. Vetëvendosje përdor standarde të dyfishta sikur zakonisht sepse sa herë që kërkon përgjegjësinë ose dekretimin nga ana e Presidentes për të themeluar Qeverinë thotë se kjo është përgjegjësi e subjektit të parë politik, në anën tjetër kur bllokon institucionet provon të shpërndajë këtë përgjegjësi dhe tek subjektet e tjera politike. Konsideroj që është përgjegjësi absolutisht e tyre, është fatkeqësi për vendin që përgjatë një viti institucionet e shtetit ishin peng I një qëndrimi të paligjshëm në krye të institucioneve e kësaj Qeverie dhe pasojat kanë qenë të rënda për vendin, për qytetarët e vendit, sepse Kosova, institucionet shtetërore janë konsideruar shtëpi pa zot gjatë kësaj periudhe dhe konsideroj që është Administrata duke mos pasur do të thoja pjesën e mbikëqyrjes dhe kontrollit ka pasur qalime sa i përket përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, ka vlerësuar Florian Dushi.

Po ashtu, ai ka thënë se LDK ka pasur çdoherë vullnet për t’i zgjidhur problemet e për të zhbllokuar por që s’ka pasur interes nga VV.

“Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë ka pasur një vullnet, për të zgjidhur këto probleme, për të zhbllokuar, edhe për periudhën për të cilën po flasim kemi pas një propozim për një Qeveri tranzicionale që do të ndërtohej nga të gjitha subjektet politike por megjithatë nuk ka pasur një vullnet nga subjekti i parë gjatë gjithë kësaj periudhe, duke e ditur faktin që kjo në njëfarë forme pastaj do t’i prishte të gjitha agjendat e tyre që i kanë pasur që nga fillimi që vendin ta dërgojnë edhe në një palë zgjedhje të tjera dhe atë krejtësisht në fund të vitit duke konsideruar që ata do të mund të marrin numër më të madh të votave në një periudhë kur mërgatën do ta kemi në Kosovë. Pse atyre iu intereson kaq shumë mërgata qëndron fakti që ata në mënyrën më të vrazhdë po e keqpërdorin edhe atë aspektin emocional të mërgatës e cila është e lidhur jashtëzakonisht me vendin e tyre, ka potencuar kandidati për deputet i LDK-së./Gazeta Blic/