Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, ka premtuar reforma në sistemin e drejtësisë, derisa është një ndër juristët më të dalluar në vend.
Ai ka treguar për shkeljet ligjore të bëra nga qeveria Kurti dhe adresimin e tyre nga LDK kur të vie në qeveri.
“Mendoj që do të jetë angazhim i gjithanshëm, kryesisht do të merremi me pjesë të çështjes së profesionit, mendoj që shumë ligje të cilat i kanë nxjerrë qeverisja aktuale janë ligje kundër kushtetuese për të cilat mendoj se duhet të fillojmë menjëherë dhe të kthejmë gjendjen që legjislacioni të jetë në pajtim me Kushtetutën e vendit. Mendoj që ka shumë bllokada të qeverisjes qendrore në raport me komunat e Kosovës. Gjatë këtij mandati sa kam qenë pjesë e qeverisjes dhe jam ende pjesë e qeverisjes së Prishtinës kemi vërejtur që me plot ligje, plot akte administrative është bllokuar zhvillimi i komunave të Kosovës. Shumë ligje, shumë kate administrative që ka nxjerrë Qeveria dhe ministritë janë në kundërshtim me Kushtetutën, i cenojnë kompetencat dhe vetëqeverisjen lokale, prandaj unë mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë me këtë pjesë në mënyrë që të hapim zhvillimin e komunave. Nuk mund të ketë zhvillim të Kosovës pa zhvillimin e komunave dhe unë mendoj që tashmë komunat e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet e qeverisjes që të menaxhojnë me buxhete të larta që të kryhen projekte e mëdha kapitale dhe mendoj që edhe formulën e ndarjes së buxheteve ta menaxhojnë në mënyrë që shumica e projekteve kapitale që janë pjesë aktuale e ministrive të barten tek komunat sepse më mirë se komunat askush nuk mund të zhvillojë projektet kapitale”, ka thënë Manaj./Gazeta Blic/


