Besim Hasani, kandidat i PDK-së për deputet, premton se do të jetë zëri i sportistëve në Kuvend.
Po ashtu, ai thotë se do të jetë zë i të gjithë njerëzve në uniformë.
“Pritshmëritë e të gjithëve janë që kontributi im të jetë në sport, do të thotë të ndihmohet komuniteti i sportit, akterët kryesorë, e ata janë sportistët, trajnerët dhe vet liderët e sportit dhe normalisht se unë e përmbushi këtë pritshmëri të tyre, mirëpo në fokusin tim përtej sportit do të jenë të gjithë ata që bartin uniformën duke u nisur, nga sportistët, policia, ushtria, zjarrfikësit dhe të tjerët që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës. Vetë ajo uniformë me ato logot që i bartin, tregon shtetësinë, vendin tonë dhe ata duhet të kenë trajtim adekuat”, ka thënë ai për Gazeta Blic.
Ai thotë se PDK dhe Bedri Hamza kryeministër do t’i kenë në fokus të gjithë njerëzit në uniformë, që t’ua plotësojë kushtet dhe kërkesat e tyre.
“Këto do të jenë edhe në fokus të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, do të thotë me rritjen e pagave, të pensioneve, me trajtimin adekuat shëndetësorë, ata do të kenë edhe sigurimin shëndetësorë edhe jetësor sepse gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre ata u ekspozohen rreziqeve të ndryshme dhe duhet ta kenë një siguri familjarët e tyre nëse me ta ndodh diçka, por edhe një përkujdesje shëndetësore dhe një trajtim adekuat. Unë gjatë këtyre ditëve kam biseduar me njerëz të uniformës, dhe kur jemi te policia gjithsesi kërkesë e tyre e që unë do ta përcjell do jem zëri i tyre, është një ligj i cili e trajton kohën e pensionimit të tyre dhe trajton shumë çështje të tjera, që normalisht unë do ta gjejë atë formën adekuate për ta përcjellë së pari brenda deputetëve të PDK-së por edhe deputetëve tjerë që këto kategori të trajtohen si duhet. Me uniformë i konsideroj edhe të gjitha kategoritë të dala nga lufta, dëshmorët, familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, invalidët e luftës, pa të cilët realisht nuk do të vinte liria dhe ne do të kemi një përkujdesje të veçantë ndaj tyre, siç e bën çdo shtet, siç e bëjnë edhe ShBA, një trajtim me dinjitet të tyre dhe unë ju premtoj se do të angazhohem fuqishëm në drejtim të realizimit të këtij premtimi”, ka thënë Hasani./Gazeta Blic/


