Lajme

Si u njoh Komiteti Olimpik i Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar – rrëfimi i ish presidentit të KOK-ut, Besim Hasani

12/25/2025 15:49
nga:G B

Kandidati i PDK-së për deputet me numrin 22 në listë, Besim Hasani, ish president i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka rrëfyer për Gazeta Blic sfidat dhe rrugën drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

“Ndërkombëtarizmi ka qenë jashtëzakonisht shumë i vështirë, sepse kushti për njohjen e Komitetit olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar ka qenë një shtet i pavarur, do të thotë ai komitet olimpik t’i takojë një shteti të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar, që interpretimi i të gjithëve në arenën ndërkombëtare ishte se shtetet i njeh vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ata na thoshin se ju jeni në rrugë të mirë, që t’u njohë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe posa të njiheni ju mund të aplikoni për njohjen nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar. Mirëpo, unë në krye të një ekipi me Memli Krasniqin, Fadil Vokrrin, Fatmir Makollin, e shumë të tjerë, nuk donin të prisnim ne që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe pastaj ne të aplikojmë, por ne kërkonim krejt të kundërtën, që ne ta ndihmojmë në këtë proces shtetin e Kosovës. Pra, njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar ta përshpejtojë pastaj procesin e njohjes së Kosovës nga OKB dhe për fat të mirë, pas 18 vitesh lobim, me pak shpresa se kjo do të realizohet por me një konsistencë të qëndrueshme, përfundimisht ia dolëm që Komiteti Olimpik i Kosovës të njihet nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar dhe kjo hapi rrugën për të gjitha federatat tjera të njihen nga federatat përkatëse ndërkombëtare, por çka është me rëndësi, u hap rruga që sportistët e Kosovës të marrin pjesë në kampionate evropiane botërore e sidomos në Lojëra Olimpike”, ka treguar ai./Gazeta Blic/