“Ka zëra për të ardhmen e tij. Nuk kemi marrë ende asnjë vendim, të shohim. Nëse numri i ndeshjeve nuk do të jetë ai që dëshirojmë, do të marrim në konsideratë edhe largimin nga Tottenham”, – ka thënë së fundi agjenti i Radu Dragusin, Florin Manea.
Ai ka dalë hapur, duke dhënë sinjale për një rikthim të mundshëm në Itali në janar ose në qershor. “Klubi nuk dëshiron ta shesë, por ne po e mendojmë dhe do të marrim një vendim”, – ka shtuar më tej agjenti i lojtarit rumun. Ai ka pranuar se Italia do të ishte opsioni më i mirë për mbrojtësin.
I pyetur konkretisht për kalimin e mundshëm tek Interi, Manea është përgjigjur: “Nuk kam folur me Chivu, e kam telefonuar vetëm për ta komplimentuar. Di që në verë Interi do të marrë mbrojtës qendre. Nëse vendosim që Dragusin të luajë më shumë deri në verë, do ta bëjmë të ditur dhe ndoshta Chivu do të më kontaktojë.
Ka ende 4 vjet e gjysmë kontratë me Tottenham, problemi është se dëmtimi e ka lënë jashtë për 11 muaj dhe nuk mund të presim edhe 7 të tjerë. Duhet të gjejmë një zgjidhje që të luajë më shumë deri në verë. Ai është i vendosur që të luajë dhe do të shohim deri në janar”.


