Lajme

Manaj: Qeveria na bllokoi në komunë, fituam kundër mekanizmit të shtetit – do të bëj reformë në drejtësi

12/25/2025 09:51
nga:G B

Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, ka qenë pjesë e qeverisjes së Prishtinës, fillimisht si këshilltar ligjor i Përparim Ramës e më pas nënkryetar i Komunës.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka treguar për vështirësitë që kanë pasur si komunë, për shkak të bllokadës nga niveli qendror, goditjet të cilat thotë se janë bërë nga Vetëvendosja me qëllim që t’i fitojë zgjedhjet në kryeqytet.

Manaj thekson se fitorja e LDK-së në Prishtinë ka qenë jo vetëm kundër kandidatit por kundër Kurtit dhe gjithë mekanizmave të shtetit që i patën aktivizuar për të fituar.

“Për 4 vite rresht unë kam qenë pjesë e qeverisjes së Prishtinës, në krah të Përparim Ramës, fillimisht si këshilltar ligjor e më vonë si nënkryetar i kryeqytetit dhe ju e dini fort mirë se gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit kemi pasur një bllokadë të jashtëzakonshme nga qeveria. Për herë të parë në qeverisjen e Kosovës, qeveria qendrore ka bërë bllokada të këtij niveli që ia ka bërë Komunës së Prishtinës, duke ia ndalë dhe të hyrat vetanake, të cilat pastaj kanë ndikuar në bllokadën e shumë projekteve të mëdha dhe ne mendojmë se kjo është bërë me qëllim sepse qeveria qendrore me çdo kusht duke goditur komunën ka tentuar që këto goditje t’i bëjë me qëllim që t’i fitojë zgjedhjet lokale por është shumë me rëndësi që qytetarët e Prishtinës  kanë vlerësuar punën që është bërë dhe vizionin politik të LDK-së, dhe i kemi fituar zgjedhjet me vështirësi të mëdha pasi nuk e kemi mundur një kandidat por beteja edhe i kryetarit Rama edhe i LDK-së ka qenë me gjithë qeverinë e Kosovës, me Albin Kurtin sepse i ka vendosur të gjitha mekanizmat e shtetit që ta fitojë garën në Prishtinë. Mendoj se është fitore e madhe jo vetëm për Prishtinën por për demokracinë pasi Prishtina është qendra e cila jep orientimin politik në Kosovë dhe VV e ka marrë goditjen e parë në Prishtinë dhe tash do ta marrë në gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë kandidati për deputet nga LDK.


Ai ka premtuar reforma në drejtësi, teksa ka treguar se si do të veprojë, duke numëruar shkeljet kushtetuese të kësaj qeverie.

“Unë jam anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe paralelisht për 5 vite me radhë e udhëhoqi Departamentin e Drejtësisë në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe mendoj që opozitën më të madhe edhe si subjekt politik por ndoshta edhe pjesën tjetër të opozitës e kemi bërë pikërisht në mbrojtje të institucioneve të drejtësisë. Ne kemi dorëzuar mbi 10 raste në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës gjatë këtyre 5 viteve dhe mendoj që të gjitha rastet i kemi fituar. Unë e kam udhëhequr ekipin e drejtësisë në LDK dhe këto raste i kemi së bashku edhe me grupin parlamentar të saj. Mendoj që kemi një opozitë për mbrojtjen e Kushtetutës së vendit, mbrojtjen e institucioneve të drejtësisë sepse ju e dini që partia në pushtet duke tentuar që në emër të reformave në sistemin e drejtësisë ka tentuar që ta kap sistemin e drejtësisë dhe kjo është kritikuar edhe nga opinionet e komisionit të Venecias dhe rekomandimit të tyre të cilët e kanë parë saktë cili është qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe unë mendoj që kjo qeverisje jo që nuk ka bërë hapa pozitiv në reformat e sistemit të drejtësisë por na ka kthyer mbrapa sidomos në procesin  e Vetingut dhe në shumë procese tjera sepse tashmë në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias ne nuk kemi një Veting të plotë por vetëm të pjesshëm. Po ashtu, ka pas ndërhyrje flagrante të kësaj qeverisje edhe në institucionet e tjera të pavarura si në  Këshillin e pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil të Kosovës  por edhe në Administratën e Shtetit sepse ka pas disa ligje, ligji për zyrtarët publik disa herë ka ndryshuar ky ligj dhe qëllimi ka qenë të cenohet marrëdhënia e punës e të gjithë zyrtarëve  publikë duke tentuar që kontratat e përhershme t’i kthejë në të përkohshme dhe në këtë mënyrë të bëjë spastrim të Administratës Publike nga njerëz profesionistë, andaj si opozitë mendoj se kemi bërë punën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Shkëmb Manaj./Gazeta Blic/