Sporti

Gattuso: Jam krenar që jam trajner i Italisë, synojmë Botërorin

12/24/2025 07:58
nga:Mergim Rreci

Trajneri i kombëtares italiane, Gennaro Gattuso, ka folur së fundi për gjashtë muajt e tij të parë në krye të ekipit dhe për objektivin e skuadrës për të arritur Kupën e Botës.

Ai ka thënë se nuk ka hezituar për ta marrë drejtimin e kombëtares që ka fituar katër herë Kupën e Botës. “Kur më kërkuan të bëhesha trajner, menjëherë thashë po. E pranova dhe nuk kam asnjë keqardhje. Jam krenar që përfaqësoj vendin tim. Ndihem i privilegjuar, një njeri shumë me fat. Kam mundësinë të stërvit ekipin kombëtar italian dhe mendoj se miliona njerëz do të donin të ishin në vendin tim”, është shprehur ai.

Gjatë gjashtë ndeshjeve të para, Italia ka shënuar pesë fitore dhe vetëm një humbje. Gattuso ka theksuar se ka parë një mentalitet pozitiv. “Ekipi ka treguar një mentalitet pozitiv dhe përkushtim maksimal në fushë. Pashë qëndrime shumë pozitive dhe një ndjenjë të madhe përkatësie. Gjeta një grup djemsh që përpiqen të japin gjithçka që kanë. Mendoj se mund ta shihni këtë edhe në rezultatet tona”, ka theksuar ish-futbollisti i njohur tash trajner.

Ai ka shtuar se fokusi tani është te ndeshjet eliminatore të marsit: “Së pari do të luajmë gjysmëfinalen kundër Irlandës së Veriut, dhe më pas fituesi i duelit Uells-Bosnjë. Nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim që bëmë katër vjet më parë kundër Maqedonisë së Veriut. Futbolli modern na mëson se lojërat e lehta nuk ekzistojnë më, se një kundërshtar mund të shkaktojë gjithmonë probleme”, ka thënë ish-trajneri i disa klubeve evropiane para se ta merrte drejtimin e Italisë.

Për objektivin e madh të Botërorit, Gattuso ka thënë se lojtarët nuk duhet të kursehen. “Obsesioni ynë është të shkojmë në Kupën e Botës dhe të rikthehemi aty ku ishim për kaq shumë vite, madje edhe si protagonistë. Duhet ta duam me çdo kusht dhe të jemi të përgatitur për çdo sfidë që na pret. Lojtarët duhet të jenë gati të japin gjithçka për fanellën kombëtare dhe për tifozët që na presin”, ka thënë ai.