Lajme

Dodë Gjergji për Krishtlindje: Të kontribuojmë drejt një stabiliteti të qëndrueshëm politik

12/23/2025 19:07
nga:Genita C

Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, ka ndarë porosinë e tij në prag të festës së Krishtlindjes.

Përmes kësaj porosie, Dodë Gjergji thotë se sot bota po përballet me frikën e shkatërrimit, sepse ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, po arsyeton me forcën e armëve, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merr vendime sipas interesave të të fortëve e jo sipas drejtësisë dhe të vërtetës.

Pos tjerash, Imzot Dodë Gjergji tha se njerëzit nuk janë të pafajshëm as për realitetin e përgjithshëm në vendin tonë, as për pakënaqësitë e krijuara mes tyre, dhe as për turbullirën politike të ditëve të fundit në vend.

Ai u bëri thirrje njerëzve të jenë të përgjegjshëm për të ardhmen dhe të kontribuojnë të gjithë në restaurimin e gjendjes së jetuar gjatë këtij viti, duke kryer obligimin qytetar dhe duke ndjekur zërin e ndërgjegjes.

Porosia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit:

Të dashur vëllezër e motra, në prag të Kërshëndellave po vij përsëri pranë jush, për të bashkëndarë me ju gëzimin e festës, brengat e kohës dhe dhuratat e hireve hyjnore që na i dhuron Fjala e Mishëruar. Po edhe për t’ju ftuar, që të shkëputemi, qoftë edhe për një çast, nga jehona e dallgëve të jetës, nga fërshëllima e armëve (në luftërat e shumta anekënd botës) dhe nga rrëmuja politike në vendin tonë, e ta dëgjojmë vajin e një Foshnje – Fjalën e Mishëruar, që i flet botës me praninë e heshtur të Tij në Betlehem, kurse të pagëzuarve me praninë e Tij në Kishë, në trup e në shpirt.

Këtë ftesë nuk ua drejtoj vetëm katolikëve, por të gjithë njerëzve vullnetmirë, sepse Krishtlindja, vërtet, është festë e të krishterëve, por Krishti – Mesia – është Paqja mbi tokë, shpresa e të gjithëve, jeta e të gjallëve dhe Shëlbuesi i njerëzimit. Këndej, le ta festojmë së bashku lindjen e Tij historike dhe le t’i gëzohemi ardhjes së Tij me lavdi, duke shpresuar me bindje, me fe e me dashuri.

Sot, bota po përballet me frikën e shkatërrimit, sepse ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes, po arsyeton me forcën e armëve, sepse e ka humbur fuqinë e arsyes dhe po merr vendime sipas interesave të të fortëve e jo sipas drejtësisë dhe të vërtetës. Mjerisht, kjo mënyrë arsyetimi, kjo formë veprimi dhe kjo qasje ndaj njëri-tjetrit po merr vazhdimisht jetë njerëzish, ka plagosur rëndë ndërgjegjen morale të botës dhe po e shkatërron shpresën e brezave të rinj.

Edhe në këtë situatë, Kisha përsëri i fton bijtë e saj dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë ta kundrojnë Krishtin, të mbështeten tek ai dhe të penduar për fajin personal, të guxojnë të shpresojnë, pasi Krishti është shpresa që nuk zhgënjen.

Nuk jemi të pafajshëm as për realitetin e përgjithshëm në vendin tonë, as për pakënaqësitë e krijuara mes nesh, dhe as për turbullirën politike të ditëve të fundit në vendin tonë. Pasi, njeriu ynë më shumë po u bindet partive, sesa ndërgjegjes, më shumë po ndjek fatin e liderit, sesa të ardhmen e fëmijëve të vet dhe më shumë është i përqendruar në atë çka thuhet, sesa në atë çfarë bëhet. Kurse, për të mirën e përbashkët, dinjitetin e secilit dhe barazinë për të gjithë nuk mendon fare. Prandaj, le ta shfrytëzojmë festën e Krishtlindjes për ta rrëmuar ndërgjegjen tonë, pasi, në një mënyrë apo tjetrën, të gjithë jemi bërë bashkëpërgjegjës e bashkëfajtorë kur kemi heshtur para të pavërtetave të thëna, gabimeve të bëra dhe padrejtësive të kryera.

Mbi gjitha, kur kemi shpresuar pa bindje, kur jemi bërë të pandjeshëm ndaj nevojave të motrave dhe vëllezërve tanë, e kur dashurinë e kemi shkëmbyer me interes, besnikërinë me oportunizëm dhe afërsinë me komunikim virtual.

Ndërsa po jua përcjell këtë porosi për një festë kaq madhështore, e ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të ardhmen tonë dhe të kontribuojmë të gjithë në restaurimin e gjendjes së jetuar gjatë këtij viti, duke kryer obligimin qytetar dhe duke ndjekur zërin e ndërgjegjes. , t’i përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë ta ruajë pacenueshmërinë e lirisë së besimit, të drejtën dhe lirinë e përcaktimit shpirtëror dhe multireligjiozitetin e kombit. Mbi të gjitha, dashurinë dhe aftësinë e bashkëjetesës ndërvëllazërore mes nesh, që është trashëgimi më e çmueshme prej të parëve tanë.

Derisa po i them të gjitha këto, më duhet të rrëfehem para jush. Sepse, as unë vetë nuk kam mundur të jem i përkryer, as të bëj mjaftueshëm për t’ju ndihmuar që të jepni më tepër.

Por, një gjë mund t’jua siguroj: gjatë gjithë kësaj kohe kam ndier barrën e përgjegjësisë për ju – për jetën tuaj, për paqen e zemrave tuaja dhe për kujdesin baritor të shpirtrave tuaj.

Në lutjet e mia ia kam besuar Krishtit secilin prej jush veç e veç dhe të gjithëve së bashku, duke iu përgjëruar Atij që na fton t’ia besojmë brengat e jetës, barrën e mëkateve dhe ligështitë tona. Sepse, Ai është i vetmi që ka jetuar mes nesh deri në fund, “zemërbutë e i përvujtë”. Është i vetmi që na mëson si të përballemi me të keqen pa u bërë pjesë e saj, si ta kërkojmë paqen pa e mohuar të vërtetën dhe si ta mbrojmë dinjitetin njerëzor edhe kur gjithçka duket e humbur.

Këndej: “Mos kini frikë! Sepse po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot ju lindi Shëlbuesi, Krishti Zot!” (Lk 2,10–11).

Këto fjalë nuk janë poezi për kohë të qeta, as thënie për mbushamendje, por thirrje për guxim: që, derisa përballemi me të keqen, ta mbajmë gjallë shpresën në amshim, gëzimin e jetës së të pafajshmëve dhe lumturinë e bijve të Hyjit, ndërsa ecim mbi këtë tokë.

Duke ju uruar Krishtlindje të bekuara dhe një Vit të Ri 2026 të mbushur me paqe, drejtësi dhe shpresë të gjallë, lutem që zërat tuaj të jenë të mbushur me dashuri.