Merkato e dimrit nuk është hapur ende, por te Milani kanë nisur lëvizjet. I pari i afruar është sulmuesi gjerman, Niclas Fullkrug.
Mbërritja e sulmuesit gjerman, e shoqëruar nga vizitat mjekësore dhe firma në kontratë, hap mundësinë e një largimi në repartin e avancuar. Fillimisht, klubi kishte menduar largimin e Santiago Gimenez, por dëmtimi i tij e bën të pamundur një shitje në këtë moment.
Emri që del në skenë është Christopher Nkunku, afrimi i fundit i verës së kaluar. Francezi konsiderohet zhgënjimi kryesor i kësaj pjese të parë të sezonit. Problemi lidhet me koston e lartë të transferimit, 37 milionë euro plus 5 milionë bonuse, si dhe kontratën deri në qershor 2030.
Këto faktorë e bëjnë të vështirë një shitje të menjëhershme. Megjithatë, disa pista jashtë Italisë mbeten të hapura. Trajneri Allegri nuk e konsideron Nkunku pjesë të planeve të tij teknike. Karakteristikat e lojtarit janë të ngjashme me ato të Leao dhe Pulisic, të cilët janë titullarë të padiskutueshëm.
Pas provave pa sukses si qendërsulmues, Milani synon ta largojë në janar, mundësisht në formë huazimi me kushte.


