Lajme

Pas tërheqjes nga Beogradi, Prindon Sadriu fton Kushnerin të investojë në Grand: Të transformohet në Hotel Trump

12/23/2025 13:32
nga:Sh R

Burri i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, pas tërheqjes së kompanisë së Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, nga ndërtimi i një kompleksi luksoz në qendër të Beogradit, duke e ftuar atë që investimin të bëjë në Prishtinë.

Sadriu, përmes një postimi në rrjetin social ‘’X’’, ka ftuar kompaninë që investimin të bëjë në Grand Hotel, duke deklaruar se ky investim “do të bashkonte njerëzit’’.

“Tërheqja nga projekti në Beograd përforcon një të vërtetë të rëndësishme: projektet që vlejnë janë menduar për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata. Relokimi i këtij vizioni në Prishtinë – dhe transformimi i Grand Hotel në një Trump Hotel – do të rivitalizonjte një lokacion të rëndësishëm dhe do të bashkonte njerëzit”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se kompania e Jared Kushnerit, “Affinity Partners” është tërhequr nga investimi në qendër të Beogradit për ndërtimin e një kompleksi luksoz. Për këtë investim kundërshtime pati nga qytetarë të cilët kritikuan lokacionin e ndërtimit. Bëhej fjalë për ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, që ishte shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999.