Trajneri i Polonisë, Jan Urban, i ka thurur elozhe Kombëtares shqiptare, që do të jetë rivali i tij në gjysmëfinalen e “Play Off”-it. Ai thotë se dueli nuk do të jetë aspak i lehtë, sepse kuqezinjtë janë një skuadër që dinë të luajnë mirë futboll dhe këtë e tregon fakti që ndodhen në këtë fazë të eliminatoreve.
“Shqipëria është një skuadër që ia ka dalë të kalojë grupin. Ata dinë të luajnë mirë futboll, ashtu si pjesa më e madhe e skuadrave që kanë siguruar Botërorin. Është një ndeshje dhe mund të ndodhë gjithçka. E di shumë mirë që gjatë kësaj kohe duhet të monitoroj jo vetëm lojtarët e mi, por edhe të Shqipërisë“, tha ai.
Megjithatë, Urban e konsideroi shortin të lehtë dhe avantazhin për të luajtur në shtëpi të rëndësishëm.
“Shorti është i mirë, edhe pse do të më pëlqente t’i luanim të dyja ndeshjet në shtëpinë tonë. Por unë mendoj vetëm për ndeshjen me Shqipërinë. Për të shkuar në Botëror gjithçka fillon nga aty”, shton ai.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të luhet në Varshavë më 26 mars, ndërsa skuadra e kualifikuar do të përballet në finale me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.


