Ish-lojtari i Liverpoolit, Dietmar Hamann, i ka thënë mediave angleze se, ndonëse Florian Wirtz nuk është përshtatur ende me ekipin, ai nuk beson se do të largohet në merkaton e dimrit, përveç nëse Xabi Alonso e telefonon.
Wirtz u bashkua me klubin e Merseyside gjatë verës në një transferim nga Bayer Leverkusen, ku luajti nën drejtimin e Alonsos.
“Është Krishtlindje dhe ai ende nuk ka shënuar gol. Kam parë pothuajse të gjitha ndeshjet e tij. Paraqitjet e tij më të mira ishin në Ligën e Kampionëve, ku futbolli është pak më ndryshe. Ai nuk është aq i shpejtë dhe fizik”, komentoi 52-vjeçari gjerman.
“Klubi po e mbron atë. Diçka duhet të ndodhë. Nëse gjërat vazhdojnë kështu deri në shkurt ose mars, atëherë duhet të merret një vendim se çfarë do të bëhet në verë. Ai nuk do të largohet në dimër, përveç nëse Xabi Alonso thotë se e dëshiron atë”, shtoi Didi Hamann.
E ardhmja e Alonsos si trajner i Real Madridit është ende në pikëpyetje për shkak të rezultateve të luhatshme në javët e fundit.
/GazetaBlic Sport/


