Lajme

QKMF në Skenderaj paralajmëron qytetarët për gripin sezonal

12/23/2025 11:25
nga:Sh R

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Skenderaj ka nxjerrë një njoftim për qytetarët lidhur me gripin sezonal, një infeksion viral i rrugëve të frymëmarrjes që zakonisht shfaqet gjatë muajve të ftohtë.

Sipas QKMF-së, gripi përhapet lehtësisht nga personi në person përmes pikëzave gjatë kollitjes, teshtitjes ose kontaktit të drejtpërdrejtë. Simptomat më të shpeshta përfshijnë: temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe muskujsh, kollë, rrjedhje hundësh, lodhje, dobësi e përgjithshme dhe dhimbje fyti.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se kujdes i veçantë duhet treguar te fëmijët e vegjël, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.

Për të parandaluar infeksionin, qytetarët udhëzohen të aplikojnë masa mbrojtëse të thjeshta, por efektive, përfshirë: larjen e shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun, mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura ose të mbipopulluara, shmangien e kontakteve të afërta me persona të sëmurë, ajrosjen e rregullt të ambienteve, ushqyerjen e shëndetshme dhe pushimin e mjaftueshëm.

Vaksinimi kundër gripit sezonal mbetet mënyra më e sigurt për të parandaluar format e rënda të sëmundjes, sidomos për grupet në rrezik.

Në rast se simptomat zgjasin ose përkeqësohen, qytetarët duhet të drejtohen në QKMF për këshillë dhe trajtim profesional.