Ministri i Financave në Shqipëri , Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.
Sipas Malajt, fokusi kryesor i këtij akti normativ është mbështetja financiare për shtresat në nevojë, veçanërisht për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, si edhe për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.
“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha Malaj.
Ky vendim synon të lehtësojë barrën ekonomike për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, në prag të mbylljes së vitit dhe përballë rritjes së kostove të jetesës.
Ministri deklaroi se një nga vendimet më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.
Sipas tij, është vendosur që të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, deklaroi Malaj.


