Këshilli drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka marrë vendim për emërimin e Goce Sedlloskit si seleksionues i ri i përfaqësueses A të Maqedonisë së Veriut.
Vendimi u mor pas propozimit të Komisionit për zgjedhjen e seleksionuesit, të përbërë nga drejtuesit kryesorë të FFM-së dhe ish-futbollistë të njohur të përfaqësueses.
Sedlloski është një nga emrat më të spikatur në historinë e futbollit maqedonas. Si futbollist, ai ka regjistruar 100 paraqitje dhe 8 gola me fanellën e përfaqësueses, duke qenë lojtari i parë që arriti shifrën e 100 ndeshjeve për përfaqësuesen.
Ai ka pasur më herët edhe përvojë në stafin e Maqedonisë së Veriut, duke e drejtuar ekipin si ushtrues detyre në vitin 2012 në ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë. Në karrierën e tij si trajner, Sedlloski ka drejtuar disa klube, mes tyre Vardarin, Shkupin, Rigën, Shiroki Brijegun, Vllazninë dhe Rabotniçkin, duke fituar tituj kampioni me Vardarin dhe Shkupin, si dhe Kupën me Vardarin.
FFM beson se përvoja dhe autoriteti i Sedlloskit do të sjellin stabilitet dhe progres për përfaqësuesen në periudhën e ardhshme.
Prezantimi zyrtar i Goce Sedlloskit si seleksionues i ri do të mbahet të martën në ora 11:30 në Shkup.


