Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” po përballet me vështirësi të mëdha financiare dhe operative, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Aktualisht, borxhi total ndaj kësaj kompanie arrin mbi 45 milionë euro.
Ditë më parë, KRU “Prishtina” ka realizuar më shumë se 1000 shkyçje të konsumatorëve për shkak të mospagesave dhe rasteve të vjedhjes së ujit, duke theksuar seriozitetin e situatës.
Në një intervistë të drejtpërdrejtë, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka folur për sfidat kryesore me të cilat po përballet kompania, duke sqaruar strukturën e borxheve dhe shtrirjen e shërbimeve të ujësjellësit në vend.
“45 milion euro është borxhi ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, përfshirë këtu gjithsej 40% të territorit të Republikës së Kosovës sepse ne menaxhojmë 8 komuna 40 milion është borxhi i sektorit të amvisërisë dhe mbi 5 milion euro është borxhi i institucionit të bizneseve të vogla dhe të mëdha, për këtë arsye në u kemi dhënë afat konsumatorëve deri me datën 31 dhjetor 2025 ti përmbyllin obligimet e tyre financiare për shërbimet e ujësjellësit në mënyrë që të kenë një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm”, tha Mjeku.
Ajo gjithashtu theksoi se një problem i madh për kompaninë mbeten edhe kyçjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit, të cilat po shkaktojnë humbje të mëdha komerciale dhe po e rëndojnë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.
“Inspektoret tonë çdo ditë në teren hasin në kyçje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit pra kyçje që i bëjnë jashtë ujëmatësit e këto e rëndojnë shumë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm sepse humbjet teknike janë më të vogla ndërsa ato komerciale janë më të mëdha për shkak të vjedhjeve që bëhen nga ana e konsumatorit”, tha Mjeku.
KRU “Prishtina” u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të përmbushin obligimet financiare dhe të shmangin keqpërdorimet, në mënyrë që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe i rregullt me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët.


