Lajme

Ish-drejtori i burgut e dy ish-gardianë gjykohen në mungesë për krime lufte

12/22/2025 11:51
nga:N K

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimit fillestar ndaj tre të akuzuarve për krime lufte, Ljubomir Çimburoviç, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Prokurori, Atdhe Dema tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe, sipas tij, janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë.

Aktakuza ndaj tre të akuzuarve Ljubomir Çimburoviç, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, i pari që akuzohet në cilësinë e ish-drejtorit të Burgut të Qarkut në Prishtinë, e dy të tjerët si ish- ardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, u ngrit më 13 maj të vitit të shkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në seancë ishin të dëmtuarit Agron Ramadani, Ali Xhyliqi,Ramadan Nishori dhe Ylber Topalli.

Si gjykim në mungesë, gjyqtari Leon Përlaska tha se nuk do të ketë deklarim rreth fajësisë, ndërsa, sqaroi ai, në afat prej 30 ditësh, mbrojtja ka të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Në Aktakuzën e Speciales thuhet se, Ljubomir Çimburoviç si drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan dhe tashmë të akuzuarin Dragisha Milenkoviq, gardian i Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, ka qenë gjatë gjithë kohës në dijeni dhe se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar veprimet e gardianëve dhe nuk i kishte raportuar këto veprime në hierarki.

Gjithashtu, thuhet se gardianët në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i u shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.