Dje, Roja Bregdetare e SHBA-së sekuestroi për herë të parë një anije cisternë nafte të sanksionuar pranë bregdetit të Venezuelës, duke e intensifikuar më tej konfliktin midis dy vendeve, raportuan mediat amerikane.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së (DHS) ka publikuar pamje filmike me mbi shtatë minuta që tregojnë hipjen në bord dhe sekuestrimin e anijes cisternë M/T CENTURIES.
Është një supertanker për transportin e naftës bruto, nën flamurin panamez dhe në pronësi të Kinës, e cila është nën sanksione të ShBA-së.
Operacioni u krye në ujërat ndërkombëtare të Detit të Karaibeve jugore, jo shumë larg bregdetit të Venezuelës, nga Roja Bregdetare e SHBA-së, konkretisht Ekipi i saj i Ndërhyrjes Speciale Detare (MSRT), me mbështetjen e Marinës Amerikane.
Trump urdhëroi bllokim të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, urdhëroi një “bllokim të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela” në një postim në platformën e tij Truth Social të mërkurën.
Ai e justifikoi vendimin duke pretenduar se vendi i Amerikës së Jugut kishte vjedhur naftë, tokë dhe asete të tjera nga SHBA-të, të cilat duhet t’i kthejë.
Trump akuzoi regjimin e udhëheqësit autoritar venezuelian, Nicolas Maduro, se po përdor “naftën nga këto fusha të vjedhura nafte për të financuar veten, narkoterrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet”.


