Lajme

Militanti i Albin Kurtit: Kanosi Klanin dhe stafin, ndalohet 48 orë

12/20/2025 20:33
nga:Sh R

Valton Hasani prej kohësh ka bërë postime të ndryshme në faqen e tij në Facebook, përmes të cilave ka ushtruar mashtrim dhe kërcënime.

Së fundi, një nga këto postime ia ka drejtuar mediumit më të madh në vend, Klan Kosova. Për ta bërë më të besueshëm pretendimin e tij, ai ka përdorur manipulim fotografik, duke e shoqëruar atë edhe me gjuhë fyese.

Përveç kësaj, Hasani, i cili në profilin e tij shfaqet si admirues dhe i fiksuar pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur termin “Klan Serbia” në disa mesazhe që dukeshin të drejtuara ndaj udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i referohet si “babë”.

Pikërisht për këto editime jo reale dhe për gjuhën fyese ndaj mediumit dhe autorit të emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, Hasani ka përfunduar në pranga.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është arrestuar një person për një kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’, në bazë të nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit ndodhet në fazën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete hetimore, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.