Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të kësaj partie për riaktivizim dhe angazhim të drejtpërdrejtë politik, duke theksuar rolin historik të tyre në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.
Në një mesazh drejtuar publikut, Haradinaj ka vlerësuar kontributin e madh të qytetarëve që ndër vite kanë ndihmuar që AAK të jetë, siç u shpreh ai, “parti e qëndrueshme dhe gardiane e shtetit”.
Ky është postimi i tij i plotë:
Qytetarë të nderuar,
Numri i juve që keni kontribuar që Aleanca të jetë gjithmonë parti e qëndrueshme dhe gardiane e Shtetit, është shumë i madh. Nuk është meritë vetëm e jona që sot jemi drejtues, anëtarë apo simpatizantë të saj, por e shumë prej jush që keni qenë anëtarë e themelues, në të gjitha nivelet e organizimit, por që, për arsye nga më të ndryshmet, mund të keni vendosur të jeni pasivë!
E mirëpres riaktivizimin e gjithsecilit prej jush, si dhe votën për Aleancën, e cila vazhdon të jetë shtëpia juaj po ashtu!
Jam dëshmitar i rikthimit të shumicës prej jush dhe kjo më inkurajon, sepse e di që vetëm kështu do të jemi krah Kosovës! Për këtë ju garantoj me emrin tim, që këtë herë e ka numrin 129.


