Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm qeveritar do të jetë garant për investimet që bëjnë kompanitë kosovare, me synim rritjen e prodhimtarisë dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.
Këto deklarata Kurti i bëri pas një vizite në fabrikën e stiroporit “Kosova Plast”, ku u takua me pronarin Refik Luri.
Sipas Kurtit, kjo kompani ka përfituar nga politikat qeverisëse, përfshirë programin “Superpuna”, i cili synon angazhimin e punëtorëve të rinj.
“Fabrika e stiroporit Kosova Plast me pronar Refik Lurin i ka rreth 30 punëtorë dhe operon në tregun vendor përveçse eksporton edhe në Zvicër e ka eksportuar edhe në Itali. Ai na tregoi se si biznesi i tij ka përfituar nga politikat qeverisëse si Superpuna për angazhimin e punëtorëve të rinj. Edhe në mandatin e ardhshëm qeveria bëhet garant për investimet që i bëjnë kompanitë e Kosovës sepse jemi të interesuar që sa më shumë t’i mbështesim për rritjen e prodhimtarisë dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.


