Bashkimi Evropian ka shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me bllokun latino-amerikan Mercosur deri në muajin janar, për shkak të protestave të fermerëve evropianë dhe kundërshtimeve të minutës së fundit nga Franca dhe Italia.
Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, konfirmoi se marrëveshja nuk do të nënshkruhet në dhjetor, duke e shtyrë edhe më tej një proces negociatash që ka zgjatur rreth 25 vjet, shkruan Aljazeera.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritej të udhëtonte në Brazil për nënshkrimin e marrëveshjes, por ajo nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme nga shumica e vendeve anëtare të BE-së. Sipas Associated Press, shtyrja u dakordësua pas bisedimeve mes von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, me kusht që Italia të mbështesë marrëveshjen në janar.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehu kundërshtime, duke kërkuar më shumë kohë për negociata dhe garanci shtesë për mbrojtjen e fermerëve evropianë. Ai tha se fermerët tashmë përballen me sfida të shumta dhe nuk duhet të dëmtohen nga importet më të lira.
Marrëveshja me Argjentinën, Brazilin, Bolivinë, Paraguain dhe Uruguain do të ishte më e madhja e BE-së për sa i përket uljes së tarifave doganore. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se ajo mund të sjellë një rritje të importeve të lira bujqësore, veçanërisht mish viçi dhe shpendësh, duke goditur prodhuesit evropianë.
Ndërkohë, vende si Gjermania, Spanja dhe shtetet nordike e mbështesin marrëveshjen, duke argumentuar se ajo do të rrisë eksportet evropiane dhe do të ulë varësinë nga Kina për lëndët e para strategjike.


