Kandidati për deputet nga LDK-ja me numër 79, DR. Sci. Besim Mulaj, i është përgjigjur Agron Avdijajt nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me dështimet e qeverisë Kurti gjatë këtyre pesë viteve qeverisje.
Mulaj në reagimin e tij thekson se rrugët janë të papërfundura, parqet e bizneseve në gjendje të mjerueshme, arsimi në gjendje jo të mirë.
Ai tutje në reagimin e tij ka thënë se për dështimet e qeverisë Kurti flet me fakte.
Sai përket Istogut, kandidati Mulaj tha se që kjo Qeveri që nga viti 2021 nuk i ka miratuar dy investime të KEDS-it për modernizimin e plotë të rrjetit energjetik të Istogut, investime të siguruara nga MCC dhe shteti i Katarit.
“I dashur Agron, qeveria Kurti ka edhe gjëra të mira që ka bërë – dhe ato i promovoni ju. Ne, si alternativë politike, kemi për detyrë të flasim për dështimet, dhe unë për to flas me fakte. Kam edhe shumë çështje të tjera, sepse i njoh mirë temat e buxhetit dhe prokurimit publik, por ato janë tashmë punë e organeve të drejtësisë” shkruan mulaj raporton “Gazeta Blic”.
Reagimi i plotë:
I dashur Agron Avdijaj,
Sot herët në mëngjes pashë se i ishe përgjigjur reagimit tim. E vlerësoj sinqerisht qasjen tënde dhe kulturën që tregove në debatin publik. Pikërisht për këtë arsye jam gjithmonë i gatshëm të debatoj jo vetëm me ty, por me këdo nga kolegët tuaj, kur debati mbahet në këtë nivel.
Së pari, më erdhi mirë që i pranove faktet lidhur me masat sanksionuese dhe raportet jo të mira me SHBA-në, edhe pse u mundove t’i arsyetosh përmes rrethanave.
Unë gjithmonë flas për fakte konkrete; dallimi mes nesh është se ju, si përfaqësues i LVV-së, tentoni t’i relativizoni ato përmes kontekstit politik.
1. Sa i përket rrugëve të papërfunduara, është e vërtetë që krahasimet nuk të pëlqyen, por gjithashtu e pranove se asnjë nga këto rrugë nuk është përfunduar për pesë vite qeverisje të Kurtit. Pikërisht këtë kam thënë unë dhe asgjë më shumë. Nuk kam folur për tenderë, as për vjedhje – vetëm për faktin se projektet nuk janë finalizuar për një periudhë të gjatë kohore.
2. Për parqet e bizneseve, i dashur Agron, parku ITP në Prizren ka qenë i finalizuar nga KFOR-i gjerman, me mbi 9 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe mbi 5 milionë euro nga Qeveria Gjermane. Të ftoj sinqerisht të shkosh ta vizitosh dhe të shohësh se çfarë prodhohet aty. Gjendja është për keqardhje. Ndërkohë, për pesë vite qeverisje, kemi një park biznesi të finalizuar me vetëm 1.7 milion euro. Po e marr si të mirëqenë këtë projekt dhe gjatë fushatës do ta vizitoj personalisht dhe do të shkruaj për të.
3. Ura e Saradranit është shndërruar në simbol të “suksesit” të kësaj qeverie në infrastrukturë për pesë vite. Nuk shoh projekte të tjera madhore – ose më trego ti. Për shembull, ku mbeti rruga Prizren–Tetovë, e nisur me shumë bujë? Ndërsa për Istogun po ta sjell një fakt shumë konkret: kjo qeveri, që nga viti 2021, nuk i ka miratuar dy investime të KEDS-it për modernizimin e plotë të rrjetit energjetik të Istogut, investime të siguruara nga MCC dhe shteti i Katarit. Për këtë kam dëshmi të plota. Cilat janë investimet e tjera reale në Istog?
4. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, arsimi. Sipas testit PISA jemi në fund. Pa arsim cilësor, ky vend nuk ka të ardhme dhe këtë nuk e zgjidh asnjë retorikë politike.
Po ashtu, pse rreth 100 milionë euro vazhdojnë të shpenzohen çdo vit nga qytetarët tanë për shëndetësi jashtë vendit? Besoj se edhe ti, si shumë të tjerë, ballafaqohesh me këtë realitet.
5. I dashur Agron, qeveria Kurti ka edhe gjëra të mira që ka bërë – dhe ato i promovoni ju. Ne, si alternativë politike, kemi për detyrë të flasim për dështimet, dhe unë për to flas me fakte. Kam edhe shumë çështje të tjera, sepse i njoh mirë temat e buxhetit dhe prokurimit publik, por ato janë tashmë punë e organeve të drejtësisë.
Debati i hapur dhe i bazuar në fakte i shërben vendit. Për këtë jam gjithmonë i gatshëm.
Me respekt,
Dr. Sci. Besim Mulaj
#besimmulaj79 #LumirAbdixhiku1 #Ldk123


