Cult

Ramë Lahaj emocionon me dy interpretime magjepsëse në Festivalin e Këngës

12/19/2025 09:27
nga:N K

Tenori Ramë Lahaj, kryetar i jurisë së Festivalit të Këngës në RTSH dhe një nga tenorët më të vlerësuar shqiptarë në skenat prestigjioze të botës, i dhuroi publikut një performancë të jashtëzakonshme gjatë këtij edicioni të festivalit.

Me një zë mahnitës, elektrizues dhe thellësisht emocionues, Lahaj mbërtheu publikun që në notat e para, duke krijuar një nga momentet më kulmore të mbrëmjes.

I shoqëruar live nga Orkestra e RTSH-së, e konsideruar edhe “gjerdani” i këtij festivali, tenori interpretoi dy këngë të dashura për publikun shqiptar: “Shiu i Verës” dhe “Vetë ke mbet”. Harmonia mes zërit të tij dhe orkestrës solli një interpretim të nivelit të lartë artistik, i cili u prit me duartrokitje të gjata nga salla.

Pas performancës Ramë Lahaj ndau emocionet dhe vlerësimet e tij për organizimin e këtij festivali dhe për punën e jashtëzakonshme të RTSH-së dhe orkestrës.

“Të shohësh këtë skenë plot do të thotë të vlerësosh artin dhe punën e RTSH-së, që për më shumë se 60 vjet sjell këtë festival madhështor. Dua të përshëndes orkestrën e RTSH-së, dhe si kryetar i jurisë dua të përgëzoj RTSH-në për një punë të mrekullueshme. Edhe në fund, i kushtohet vëmendje e veçantë skenografisë dhe investohet tek muzikantët e mrekullueshëm”, u shpreh Lahaj.

Lahaj u shpreh i lumtur që ndodhet ne jurinë e Festivalit të Këngës mes figurave që i vlerëson shumë dhe që kontribuojnë për suksesin e këtij festivali.