Sporti

Zëra për largimin e Adeyemit nga Dortmundi, Loredana mohon ndikimin

12/18/2025 15:36
nga:Lorik J

Sipas mediave gjermane, rreth Karim Adeyemit, sulmuesit të Borussia Dortmund, kanë nisur të shtohen spekulimet për një largim të mundshëm nga klubi, ndonëse pritet që ai ta përfundojë sezonin aktual me verdhezinjtë.

Siç raporton Bild, arsyeja e përfolur për interesimin ndaj një transferimi lidhet me jetën private të lojtarit. Thuhet se bashkëshortja e tij, këngëtarja Loredana Zefi, do të preferonte të jetonte në një metropol më të madh evropian, që ofron më shumë mundësi biznesi dhe argëtimi, faktor që – sipas këtyre raportimeve – mund të ketë ndikuar te Adeyemi për të menduar një largim nga Dortmundi.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar publikisht nga vetë Loredana. Ajo ka reaguar përmes një komenti në TikTok, duke i cilësuar këto teori si “të pavërteta” dhe duke hedhur poshtë çdo ide se po e shtyn Adeyemin drejt largimit nga klubi gjerman.

Aktualisht, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Borussia Dortmund apo nga vetë lojtari për një transferim të afërt, ndërsa Adeyemi mbetet pjesë e planeve të skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.