Vetëm KQZ-ja miraton ose refuzon kërkesat për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, organizatave dhe mediave.
Kështu është e shkruar në ligjin për zgjedhjet e përgjihshme, por me datë 12 dhjetor, këtë kompetencë e përvetësoi kundërligjshëm Drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, duke anuluar aplikimin e paraqitur nga organizata joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ky veprim i Buzhalës, është kuptuar nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me të cilin është aprovuar ankesa e Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe është anuluar njoftimi i datës 12 dhjetor 2025 i Zyrës për Regjistrim, Verifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike.
Lënda është kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje.
Përmes vendimit të PZAP-it kuptohet se me datë 12 dhjetor 2025, IKD ka pranuar një njoftim nga Zyra për Rgjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për refuzimi e aplikimit të organizatës IKD, për akreditim që të vëzhgojë zgjedhjet paralementare të 28 dhjetor 2025.
IKD, në ankesën e paraqitur në PZAP, ka cituar me saktësi ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, nenet e të cilit janë shmangur nga Zyra, kur refuzoi aplikimin e tyre. IKD, në ankesën e paraqitur, ka treguar se Zyra ka tejkaluar kompetencat e saj, pasi që Zyra ka kompetencë vetëm të shqyrtojë aplikimet dhe të njoftojë organizatën lidhur me vendimin e KQZ-së.

Por, rasti bëhet edhe më interesant pas përgjigje së kthyer nga KQZ për PZAP-in, gjatë shqyrtimit të ankesës së IKD-së.
Nga “sqarimet” e KQZ-së, lë shumë për të dëshiruar përgatitja profesionale e këtij institucioni.
Në KQZ nuk dinë se “të drejtat e njeriut” mbrohen përmes “sundimi i ligjit”
Ka mjaftuar “gjetja” e Zyrës së Partive se në Statutin e IKD-së nuk përfshihet “mbrojtja e të drejtave të njeriut apo zgjedhjet” që të hidhet poshtë aplikimi i saj për akreditim.

Zyrës nuk i ka bërë përshtypje se sipas statutit të saj, IKD është themeluar me qëllim të promovimit të sundimit të ligjit dhe që aktiviteti i saj lidhet me këtë fushë.
Por, ky lexim kaq i ngushtë i ligjit nga ana e kësaj Zyreje, ka shfaqur anomalinë e madhe duke mos e ditur se të drejtat e njeriut mbrohen përmes sundimit të ligjit dhe që sundimi i ligjit (rule of laë) është drejtpërdrejt i lidhur me të drejtat e njeriut dhe konsiderohet pjesë përbërëse e tij.
Sipas standardeve ndërkombëtare, sundimi i ligjit garanton barazi para ligjit, mbrojtje ligjore efektive, gjykime të drejta dhe përgjegjëshmëri të institucioneve – që të gjitha këto janë të drejta themelore të njeriut.
Prandaj, një organizatë që ka në fokus promovimin dhe monitorimin e sundimit të ligjit konsiderohet se vepron brenda fushës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Zyra e bën “lëmsh” PZAP-in
Pavarësisht se në njoftimin e Zyrës së Partive për IKD-në thuhet se “aplikimi i OJQ-së IKD refuzohet”, në përgjigjen që kjo zyre e ka kthyer tek PZAP-i vërehet përpjekja për të ikur nga tejkalimi i kompetencave ligjore.
Në përgjigjen që Zyra e Partive e ka kthyer tek PZAP-i, kjo zyre ka theksuar se aplikimi i IKD-së nuk ka arritur të rekomandohet nga Zyra për akreditim apo refuzim të akreditimit dhe rrjedhimisht nuk ka vendim të KQZ-së për këtë rast. Aplikimi i IKD-së është ende në trajtim dhe do të ketë rekomandim nga Zyra për këtë çështje me ç’rast do të ketë edhe vendimmarrje.

Kjo situatë ka shkaktuar konfuzion te PZAP-i, i cili ka vlerësuar se vendimi i atakuar është kontradiktor, i paqartë dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës, kjo pasi që KQZ në njërën anë në arsyetim të njoftimit konsideron se OJQ IKD nuk ka plotësuar kushtet ligjore për akreditim, ndërsa në përgjigjet e KQZ-së është theksuar se aplikimi i IKD-së nuk ka arritur të rekomandohet nga Zyra për akreditim apo refuzim të PZAP-it.
“Lëmshi” i krijuar nga KQZ, ka detyruar PZAP-in që të kërkojë nga KQZ-ja që të përcaktojë qartë vendimmarrjen në këtë rast.



