Lajme

Ekzekutimi i Danit dhe Sheqerit në Rinas: Atentati u përgatit në Shqipëri

12/17/2025 22:54
nga:G B

Detaje të reja kanë dalur në sipërfaqe nga hetimet e zhvilluara për ekzekutimin mafioz që ndodhi më 11 nëntor në Rinas, ku të vrarë mbetën Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP, Mustafa Sheqeri.

Dani dhe Sheqeri u ekzekutuan në Rinas pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, shkruan A2.

Gjatë hetimeve, policia shqiptare kërkoi informacione nga ajo spanjolle, lidhur me qëndrimin e tyre në Barcelonë.

Sipas autoriteteve spanjolle, ata nuk kishin pasur precedentë penal atje, shkruan A2.

Siç raportohet, gjatë 4 ditëve që qëndruan në Barcelonë ishin si turistë dhe autoritetet atje nuk kanë informacion dhe prova që mund të jenë ndjekur apo vëzhguar nga persona të tjerë lëvizjet e tyre.

Dyshimet e hetuesve janë se organizimi i atentatit ka nisur në momentin që Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri u nisën nga Rinasi drejt Barcelonës më datë 7 nëntor dhe kanë pritur vetëm kthimin e tyre.

Ata kanë marrë informacion që Dani dhe Sheqeri janë nisur drejt Spanjës.

Ndërsa hetimet vijojnë, policia ka persona të dyshuar, por ende jo prova konkrete.

Po ashtu, gjatë hetimeve janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje shumë persona, por nuk është përftuar asnjë e dhënë që mund të çojë te autorët.