Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës pas një padie të ushtruar nga E.SH, ka vendosur që të shfuqizojë nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Qendër të Pensioneve për të vërtetuar që janë gjallë.
Në vendimin e Supremes thuhet se është punë e Ministrisë që të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për të identifikuar nëse një pensionist ka vdekur dhe se kjo nuk është punë që duhet qytetari ta kryejë vetë.
Ky vendim është mirëpritur nga Shoqata e Pensionistëve të Kosovës.
Sekretari i kësaj shoqate, Sherif Kastrati, në një prononcim për Front Online tha se ky është vendim shumë i mirë e mirëpritur
Sipas Kastratit, shoqata kishte organizuar takime dhe veprime të shumta për të kundërshtuar obligimin e paraqitjes çdo gjashtë muaj, duke e cilësuar atë si barrë të panevojshme për pensionistët.
‘’Vendim shumë i mirë pritur , ne kemi protestuar shumë herë lidhur me këtë me mbledhje me shumë veprime që të mos paraqitemi çdo 6 muaj ‘’, tha sekretari për Front Online.
Sekretari i pensionistëve thotë se vendimi përbën një lehtësim të madh jo vetëm për pensionistët, por edhe për administratën shtetërore, pasi shmang shpenzimet, pritjet dhe vështirësitë që pensionistët përjetonin gjatë paraqitjes fizike.
‘’Ky është lehtësim edhe për pensionistët por edhe për administratën. Është tepër lajm i mirë e i gëzueshëm për pensionistët sepse në këtë mënyrë as nuk kanë nevojë të harxhohen e të shkojnë , nuk shkakton probleme është shumë sistem i mirë dhe e mirëpresim këtë lajm të gëzueshëm’’, tha Kastrati.


