Konferenca e tretë e qumështit në Kosovë u mbajt sot nën organizimin e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), duke mbledhur përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë, ekspertë, akademikë dhe fermerë nga mbarë vendi, me qëllim adresimin e sfidave dhe perspektivave të zhvillimit të sektorit të qumështit.
Kryetari i SHPQK-së, Naser Bajraktari, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së vazhdueshme për fermerët, duke vlerësuar rolin jetik të tyre në ekonominë vendore.
Ai falënderoi donatorin strategjik ‘We Effect’, partnerin AgroDev, si dhe partnerët afatgjatë ndërkombëtarë për kontributin e tyre në fuqizimin dhe modernizimin e sektorit të qumështit.
Bajraktari bëri të ditur se gjatë këtij viti, 615 fermerë kanë përfituar drejtpërdrejt nga trajnimet dhe aktivitetet e Shoqatës.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, me theks të veçantë në blegtori.
Ai njoftoi se përmes skemës së granteve, mbështetja për sektorin e blegtorisë arrin vlerën 22.5 milionë euro, ndërsa janë ndërmarrë masa të reja si rritja e subvencioneve për cilësinë e qumështit, subvencionimi për herë të parë i viçave dhe mëshqerrave, si dhe investime laboratorike mbi 5.8 milionë euro, me mbështetje nga Banka Botërore.
Demelezi theksoi se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e fondit blegtoral, interesimit për sektorin dhe përmirësimin e raportit import–eksport.
Në emër të Fondacionit AgroDev, Naim Krasniqi vlerësoi Konferencën si një platformë të rëndësishme për dialog mes politikave, dijes dhe praktikës.
Ai foli për Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar mes AgroDev dhe SHPQK-së, i cili synon forcimin afatgjatë të sektorit të qumështit përmes trajnimeve, bujqësisë së mençur ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjes së cilësisë e sigurisë ushqimore.
Krasniqi solli shembuj konkretë nga vizita studimore në Bullgari, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të stresit termik dhe adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.
Tema qendrore e konferencës, “Biosiguria, ndryshimet klimatike dhe perspektiva e zhvillimit të sektorit të qumështit”, u vlerësua si aktuale dhe thelbësore për të ardhmen e këtij sektori strategjik. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për bashkëpunim të strukturuar mes fermerëve, institucioneve, akademisë dhe partnerëve zhvillimorë për të ndërtuar një sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues.


