Lajme

Hargreaves e Rexhepi i Supremes flasin për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

12/17/2025 12:56
nga:N K

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi ka qenë sot nikoqir i takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Rexhepi e diplomati britanik kanë diskutuar bashkë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rolin e Gjykatës Supreme në këtë proces.

Bëhet e ditur se kreu i Supremes e ka njoftuar ambasadorin Hargreaves me rolin e Gjykatës derisa i ka treguar se të gjitha ankesat administrative të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për zgjedhjet e fundit lokale, janë trajtuar dhe vendosur brenda afateve ligjore.

“Në këtë mënyrë është garantuar trajtimi i barabartë i të gjithë ankuesve. Po ashtu, të gjitha vendimet janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme, duke reflektuar transparencë të plotë institucionale”, thotë Gjykata Supreme në njoftimin për media.

Kreu i Supremes, siç thotë gjykata, shprehu bindjen se edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, do të ketë një proces të drejtë dhe demokratik. “Për të cilin po kontribuon edhe Gjykata Supreme, përmes vendosjes së drejtë dhe trajtimit me kohë të ankesave”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkohë, tutje bëhet e ditur se ambasadori Hargreaves ka ritheksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për Gjykatën Supreme dhe gjithë sistemin gjyqësor.

Supremja thotë se bashkëbiseduesit diskutuan edhe për iniciativat për trajnime dhe shkëmbim përvojash, përfshirë bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë.