Lajme

Prokuroria aksion në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks

12/17/2025 11:55
nga:Genita C

Prokuroria Themelore në Prishtinë bashkë me Policinë e Kosovës po zhvillon aksion në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks.

Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim meNjësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, është duke kryer kontrollet.

Sipas njoftimit, ky aksion po realizohet në zbatim të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kontrollin e 15 lokacioneve, bizneseve që të gjitha në Prishtinë dhe sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim.

“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare nga neni 414 të KPRK-së, Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësorë nga neni 256 të KPRK-së dhe Tregti e ndaluar nga neni 299 të KPRK-së, kjo për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal Botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal.