Lajme

Rasti Banjska, seanca e radhës caktohet për 16 janar

12/17/2025 11:30
nga:N K

Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e avokates Filipoviq që të dëgjohet si dëshmitar Millosh Radosavleviq.

Ndërsa për dëshmitarin Goran Tanevski, gjykatësi Arben Hoti tha se Gjykata ka bërë përpjekje për t’u lidhur përmes video-linkut me Gjykatën e Shkupit, mirëpo nuk ka qenë e mundur teknikisht, andaj e kanë lënë mundësinë e hapur për një herë tjetër.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Seanca e radhës u caktua për datën 16 janar, me fillim prej orës 09:30.

Vazhdon gjykimi në rastin Banjska, mungon sërish dëshmitarja Antonijeviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi në rastin Banjska ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Në seancën e sotme, e cila filloi me gati një orë vonesë, u planifikua të dëgjohet dëshmia e dëshmitares Dragana Antonijeviq, për të cilën që dy herë radhazi e ka pranuar ftesën babai i saj i cili thotë se e njëjta gjendet në Serbi.

Prokurori special ka propozuar që në këto kushte deklarata e dëshmitares të lexohet.

“Meqë e njëjta ka refuzuar ta pranoj ftesën, duke shprehur qartë vullnetin e saj për të mos dëshmuar pa paraqitur arsye ligjore, propozoj që dëshmia e saj të lexohet si provë”, ka thënë prokurori Naim Abazi.

Trupi gjykues mori aktvendim për aprovim të propozimit të prokurorit special.