Lajme

Osmani udhëton në Bruksel, përfaqëson Kosovën në Samitin e Liderëve BE-Ballkan Perëndimor

12/16/2025 17:54
nga:Sh R

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

Bazuar në njoftimin e Presidencës, në këtë Samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

“Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, thuhet tutje në njoftim.

Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.

Po ashtu, Presidenca ka bërë të ditur se liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.