Kryeministri Edi Rama kërkoi sot vendosjen e sanksioneve ndaj autoritetit më të lartë përgjegjës në rastet kur shkelet afati ligjor që parashikon ligji për informimin.
I pranishëm në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama solli në vëmendje masat që ka ndërmarrë qeveria për garantimin e transparencës, përmes projektit “Transparent Albania”.
Kryeministri u shpreh se ky është një projekt shumë ambicioz për të pasur në një territor të vetëm virtual të gjithë informacionin.
“Kjo do të lehtësonte shumë ndërveprimet midis gjithë kërkuesve të informacionit dhe vetë institucioneve, pasi do të ishte një dritare e vetme ku institucionet në mënyrë automatike do të duhet të publikojnë gjithë aktivitetin e tyre dokumentar. Nuk është një barrikadë pët të mbajtur informacion, por zgjidh një problematikë në funksionimin e brendshëm të mekanizmit të administratës”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se ka tërhequr vërejtjen për mungesën e sanksioneve për autoritetet më të larta.
“Ligji është shumë i qartë. Dhjetë ditë është koha për t’u përgjigjur dhe ditën e 11 nëse nuk ka përgjigje ka sanksione dhe duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se “ne u kemi kërkuar gjithë ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie te sekretari i përgjithshëm”.
“Një pjesë e kanë bërë, një pjesë nuk e kanë bërë akoma. Duhet të sanksionohen ministrat dhe sekretari i përgjithshëm. Nëse do të ndodhi në mënyrë të përsëritur do të krijohet një ndjesi urgjence. Kur e kemi nisur këtë proces kishim problem parkimin e paligjshëm të deputetëve në trotuare, lulishte dhe hapësirat publike rreth e rrotull parlamentit. U vendosën sanksione dhe u gjobitën deputetët disa herë me radhë dhe kuptuan se koha e parkimit të paligjshëm mbaroi. Tani nuk ka më makina ministrash që shkelin semaforin se u gjobitën ministrat. Sanksionet në këtë rast mbase nuk do kenë të njëjtin efekt çudibërës por do të kenë efektin e tyre”, shtoi Rama./ATSh


