Lajme

Mulaj thotë se LDK synon vendin e parë dhe përjashton koalicionin me Vetëvendosjen: E kanë degraduar vendin!

12/18/2025 08:41
nga:Genita C

Kandidati i LDK-së për deputet me numrin 79, Besim Mulaj, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës synon fitoren dhe udhëheqjen e Qeverisë së ardhshme, duke kundërshtuar vlerësimet e Lëvizjes Vetëvendosje se LDK-ja garon për vendin e dytë.

Ai në një intervistë dhënë për GazetaBlic ka kritikuar ashpër qeverisjen Kurti, duke theksuar se bizneset janë trajtuar keq dhe pa dialog, ndërsa ka akuzuar VV-në për dështime në zhvillimin ekonomik, punësim dhe ndaljen e migrimit.

“Qasja e VV’së, ata e besojnë që ne garojmë për vendin e dytë, por në garojmë për vendin e parë. Pra, që të jetë parti fituese dhe përcaktuese për Qeverinë e ardhshme që t’i përgjigjen interesave dhe kërkesave të qytetarëve, por edhe bizneseve sepse Qeveria e Kurtit e ka trajtuar biznesin jashtëzakonisht keq, asnjëherë s’ka diskutuar me ta”, tha Mulaj.

Mulaj ka shtuar se LDK-ja synon koalicione paszgjedhore mbi baza programore me partitë opozitare, duke përjashtuar bashkëpunimin me Vetëvendosjen.

“Duhet të ndodhin koalicionet, gjithmonë kanë ndodhur. Ne e kemi pasë VV’në që para katër vitesh i mori 61 deputetë, por në fund ka dështuar në çdo zgjidhje, në zhvillimin ekonomik, në adresimin e punësimeve, po ashtu në migrimin, që jo vetëm që nuk e ka ndaluar, por ka ndihmuar në ikjen e njerëzve nga Kosova”, shtoi ai.

“Ne besojmë që LDK-ja ta marrë primatin në Qeveri dhe parimet mbi të cilat nesër mund të krijohen koalicionet paszgjedhore, do të jenë programore. Primare për ne, janë koalicionet me partitë opozitare sepse nuk ka logjikë të jesh në koalcion me VV’në e cila e ka degraduar çdo rrethanë në Republikën e Kosovës”, tha Mulaj për GazetaBlic.