Lajme

SBASHK-u në trajnimin evropian mbi inteligjencën artificiale

12/16/2025 11:47
nga:N K

Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kanë udhëtuar drejt Brukselit, aty ku janë bërë pjesëmarrës të trajnimi të të përbashkët të organizuar nga Instituti Sindikal Evropian (ETUI) dhe Komiteti Sindikal Evropian për Arsim (ETUCE).

Ymer Ymeri, sekretar i përgjithshëm, po përfaqëson SBASHK-un aty bashkë me kryetarin e Komisionit Statutar, Blendor Shatri.

“Trajnimi me temën “Inteligjenca Artificiale, barazia dhe gjithëpërfshirja në arsim – ndërtimi i veprimeve sindikale” ka për qëllim forcimin e kapaciteteve sindikale për të adresuar sfidat dhe mundësitë që sjell përdorimi i AI-së në arsim, me fokus në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit dhe në parandalimin e diskriminimit”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Pjesë e këtij takimi është edhe përfaqësuesja e Sindikatës së Pavarur e Arsimit të Shqipërisë SPASH, Matilda Zani.

“SBASHK, përmes pjesëmarrjes aktive në këto procese evropiane, riafirmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e interesave të anëtarësisë, për ndërtimin e politikave arsimore gjithëpërfshirëse dhe për avancimin e bashkëpunimit me organizatat sindikale evropiane dhe botërore, me synim që mësimdhënësit e Kosovës të jenë të barabartë në mbrojtje, të drejta dhe perspektivë me kolegët e tyre evropianë”, thuhet në njoftim.