Lajme

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin Bonifacio VIII në Itali

12/14/2025 17:38
nga:G B

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin Anagni të Italisë me Çmimin Bonifacio VIII, një vlerësim i ndarë nga Akademia Bonifaciana për angazhimin e saj institucional në promovimin e paqes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar.

Ceremonia u mbajt në Anagni, i njohur si “qyteti i Papëve”, ndërsa ky çmim u cilësua si një nga vlerësimet më të rëndësishme që Akademia Bonifaciana ndan për personalitete me kontribut të veçantë në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe paqes.

Çmimi Bonifacio VIII u është ndarë ndër vite edhe personaliteteve të shquara botërore, përfshirë Papa Gjon Palin II.

Me këtë rast, Presidentja Osmani tha se ky vlerësim e forcon edhe më tej përkushtimin e saj ndaj vlerave universale të paqes, dialogut dhe mirëkuptimit, të cilat, sipas saj, udhëheqin vizionin dhe veprimtarinë institucionale të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.