Lajme

Supremja refuzon si të pasafatshme ankesën e “Down Syndrome Kosova” për votimin me asistencë

12/12/2025 15:44
nga:N K

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur si të pasafatshme ankesën e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën e shoqatës për rishikimin e udhëzuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votim me asistencë.

Shoqata kishte kundërshtuar udhëzuesin e KQZ-së që kërkon raport mjekësor për personat me aftësi të kufizuara që votojnë me asistencë, duke argumentuar se ky kriter cenon të drejtën e votës dhe bie ndesh me standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për pjesëmarrje zgjedhore.

Pasi PZAP-ja e refuzoi ankesën, shoqata iu drejtua Gjykatës Supreme duke kërkuar që KQZ-ja, para çdo procesi zgjedhor të ardhshëm, të rishikojë dhe harmonizojë udhëzuesin për votim me asistencë me legjislacionin dhe standardet përkatëse, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mos pengohen në ushtrimin e së drejtës së tyre për të votuar.

Supremja, megjithatë, e ka shpallur ankesën të pasafatshme. Në vendim thuhet se gjykata “e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës”, dhe konstatoi se ankesa ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor.

Sipas arsyetimit, Shoqata “Down Syndrome Kosova” e kishte pranuar vendimin e PZAP-së më 5 dhjetor 2025, në orën 15:52, ndërsa ankesën në Gjykatën Supreme e kishte dorëzuar më 8 dhjetor 2025, në orën 13:20 — pra pas kalimit të afatit 48-orësh të paraparë për ankesa.

Në bazë të kësaj, Gjykata Supreme ka vendosur që ankesa të hidhet si e pasafatshme, duke lënë në fuqi vendimin e PZAP-së.