Një protestë gjithëkombëtare pritet të zhvillohet nesër në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Por Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të qartë se nuk mban përgjegjësi për lëvizjen e qytetarëve drejt Maqedonisë së Veriut, për shkak se nuk ka marrë garanci zyrtare nga institucionet.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmen Syla, tha se protesta pritet të jetë masive dhe gjithëkombëtare, por theksoi se secili pjesëmarrës udhëton me vullnet të plotë personal, pasi mungojnë garancitë për qarkullim të lirë në kufi.
Syla ka kërkuar mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve për rrethanat e krijuara, duke theksuar se organizata nuk mund të marrë përgjegjësi për asnjë pengesë eventuale në lëvizje. “Shkuarja është vullnetare dhe besoj shumë se do ta kemi mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve tanë për rrethanat e krijuara”, ka thënë Syla.
Ai theksoi gjithashtu se protesta është paqësore dhe synon të shprehë pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
“Presim mirëkuptimin e institucioneve të shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut, anëtare e NATO-s”, u shpreh Syla, duke nënvizuar se protesta ka karakter gjithëkombëtar dhe se Shkupi, Prishtina dhe Tirana do të bashkohen nesër në mbështetje të të akuzuarve të UÇK-së.


