Sporti

Slot flet për situatën me Salah: Sot do të bisedoj me të

12/12/2025 14:44
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar se sot do të zhvillojë një takim vendimtar me Mohamed Salah, pas polemikave të krijuara fundjavën e kaluar.

Sulmuesi egjiptian shpërtheu kundër trajnerit dhe drejtuesve pas barazimit ndaj Leeds, ndërsa më pas u la jashtë skuadrës për ndeshjen e Champions League ndaj Interit.

“Do të kem një bisedë me Mo dhe rezultati i saj do të përcaktojë se si do të zhvillohen gjërat. Duhet të flas me të, dhe herën tjetër që të flas për Mo, dua të jetë ai para meje dhe jo këtu. Nuk kam shumë për të shtuar”, ka thënë Slot.

Trajneri shtoi se ka pasur komunikime të vazhdueshme mes palëve gjatë ditëve të fundit.

“Mendoj se ka pasur shumë biseda mes përfaqësuesve të tij dhe tanëve gjatë javës së kaluar. A do të kërkoj falje? Normalisht do të thosha se i keni bërë tre pyetje…!”, tha ai me ironi.

I pyetur nëse vendimi për të lënë Salah jashtë udhëtimit për në Milano ishte i tij apo i klubit, Slot sqaroi:

“Kush e mori vendimin? Ne si klub vendosëm që të mos e marrim me vete dhe unë isha pjesë e atij vendimi. Sigurisht, formacioni dhe lista e skuadrës janë gjithmonë përgjegjësia ime. Jam më shpesh në kontakt me Richard Hughes sesa me Michael Edëards, flasim për shumë gjëra”.

Gazetarët nuk hezituan të pyesin nëse Slot dëshiron që ylli egjiptian të qëndrojë te Liverpooli.

“A dua që të qëndrojë? Është thjesht një mënyrë tjetër për të bërë të njëjtën pyetje. Herën tjetër që do të flas për Mo, do të jetë me të në tavolinë. Nuk shoh asnjë arsye përse nuk doja që ai të qëndrojë”, pohoi Slot.