Lajme

Drini Gashi, kosovari i parë që i bashkohet Gardës Kombëtare të Ajovas

12/12/2025 12:26
nga:N K

Drini Gashi është personi i parë nga Kosova, që është partneri shtetëror i Gardës Kombëtare të Ajovas në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (SPP), që i bashkohet GKA-së.

Ai u betua nga gjeneralmajori në pension, Timothy Orr, ish-Adjutant i Përgjithshëm i kësaj garde.

“Angazhimi i Drinit shënon edhe një tjetër pikë kthese në marrëdhënien që forcon lidhjen mes Ajovas dhe Kosovës”, tha Orr.

ADVERTISING

Motivimi i Drinit për të shërbyer lidhet me vitin 2012, kur ai u shpërngul nga Kosova në Washington, D.C. Babai i tij, gjeneral brigade në pension i FSK-së, Xhavit Gashi, shërbeu si atashe i FSK-së në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ajova. Gjatë asaj kohe, Xhavit Gashi u takua me Orrin dhe të dy ndërtuan një miqësi të përjetshme në vitet e hershme të partneritetit të Gardës Kombëtare të Ajovas me Kosovën.

Familja Gashi u shpërngul në Ajova në vitin 2016, kur Xhaviti mori pozitën e konsullit të përgjithshëm në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, Ajova. Gjatë asaj kohe, familja Gashi jetoi në Camp Dodge. Pikërisht aty Drini pati ndërveprimet e para me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas.

Pas disa vitesh në Ajova, familja Gashi u kthye në Kosovë. Megjithatë Drini vazhdoi të ndiente një lidhje të fortë me Ajovën dhe vendosi të kthehej për të ndjekur kolegjin. Së shpejti, ai nisi rrugëtimin drejt shtetësisë amerikane duke u regjistruar në Gardën Kombëtare të Ajovas përmes Programit të Sponsorizimit dhe Shtetësisë së Përshpejtuar.

“E dua këtë vend dhe e dua atë që ky vend përfaqëson”, tha Drini. “Ajo që është ky vend, është më e madhja në botë”.