Lajme

Abdixhiku takim me gratë e LDK-së: Ne do të rikthejmë shpresën bashkë me gratë në ballë të ndryshimit

12/10/2025 20:26
nga:N K

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar me aktiviste të LDK-së, asambleista të zgjedhura dhe kandidate gra për deputete.

Abdixhiku ka thënë se gratë aktiviste zgjedhin shpresën, duke shtuar se në çdo bisedë me to sheh dashurinë për Kosovën.

Tutje, ka thënë se LDK do të rikthejmë shpresën bashkë; me gratë në ballë të ndryshimit.

Postimi i Abdixhikut:

E ardhmja që duam fillon me to!

Forca që na duhet nis me to!

Prandaj me gratë aktiviste zgjedhim shpresën!

Sonte pata kënaqësinë të kaloj një mbrëmje të veçantë me aktivistet gra të jashtëzakonshme; me asambleistet e zgjedhura nga zgjedhjet e fundit lokale dhe me kandidatet gra në listën tonë për zgjedhjet e ardhshme. Gra të forta, profesioniste, të angazhuara dhe të përkushtuara që i japin politikës sonë frymën e qytetarisë, maturisë dhe të ardhmes.

Në çdo bisedë e në çdo mendim të tyre, pashë një gjë të përbashkët: dashurinë për Kosovën dhe vendosmërinë për ta çuar këtë vend përpara. Me to, rrugëtimi ynë bëhet më i drejtë, më i mençur dhe shumë më i fuqishëm.

Jam krenar për secilën prej tyre. Jam mirënjohës për energjinë, idetë dhe besimin që sollën sonte. Kosova ka nevojë për zërin, guximin dhe mendjen e tyre.

Me 76 asambleistet e zgjedhura, e me 37 gra kandidate, folëm për angazhim në fushat, për takime me familje e me gra anembanë Kosovës. Gruaja aktiviste duhet të jetë shembull për secilën vajzë të re që ëndërron, beson e jeton në Kosovën me të ardhmen e bukur.

Ne do të rikthejmë shpresën bashkë; me gratë në ballë të ndryshimit.